Thinking ...
Connect with us

Kosova

4 ditë para vendimit për Thaçin, BE: Respektojeni, nuk është përfundimtar

Bashkimi Europian ka bërë thirrje për përmbajtje dhe respektim të procedurave gjyqësore në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një reagim për Gazeta Express, BE-ja u ka kërkuar të gjitha shteteve dhe palëve të përfshira në proces që të respektojnë procedurat e gjykatës dhe vendimin që pritet të shpallet më 16 shtator.

Brukseli ka përsëritur mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si një institucion gjyqësor të pavarur. BE-ja thekson gjithashtu se vendimi i shkallës së parë nuk përbën përfundimin e procesit gjyqësor, pasi si mbrojtja, ashtu edhe prokuroria kanë të drejtë të ushtrojnë ankim.

Sipas Bashkimit Europian, puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për garantimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ndërkohë, në Prishtinë është paralajmëruar një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Marshimi pritet të nisë në orën 14:00 dhe organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje nga qytetarë të mbarë Kosovës, duke kërkuar drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

Procesi gjyqësor në Hagë është shoqëruar gjatë kësaj kohe me kritika nga Kosova ndaj punës së Dhomave të Specializuara, të cilat janë akuzuar nga kundërshtarët e procesit për njëanshmëri.

Aktakuza ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së përmban 10 pika, gjashtë prej të cilave lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte. Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Specializuar kërkoi dënime me nga 45 vjet burgim për të akuzuarit.

Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015 dhe nisën funksionimin në vitet 2016–2017, pas ndryshimeve kushtetuese në Kosovë dhe marrëveshjeve për zhvendosjen e procedurave gjyqësore në Hagë.

Advertisement