Kosova
Çfarë i tha Trump Kosovës? Osmani zbulon mesazhin nga Uashingtoni
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për marrëdhënien e saj me presidentin amerikan Donald Trump dhe administratën e tij, duke e përshkruar si një raport të sinqertë, por njëkohësisht të orientuar drejt interesave strategjike të Kosovës.
Në një intervistë për “Inside Albania” në Euronews Albania, Osmani tha se afrimiteti me Trump nuk ishte thjesht çështje personale, por edhe pjesë e përpjekjeve për të ruajtur Shtetet e Bashkuara si aleatin kryesor strategjik të Kosovës.
Ajo vlerësoi gjithashtu marrëdhënien me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar qëndrimin që, sipas saj, ai ka mbajtur ndaj Kosovës dhe zhvillimeve në ish-Jugosllavi. Osmani tha se marrëdhënia me Rubion kishte nisur përpara se ai të merrte detyrën e Sekretarit të Shtetit.
Sipas ish-presidentes, bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në ka qenë i rëndësishëm në momente kyçe për Kosovën, duke përmendur çlirimin, shpalljen e pavarësisë, procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, njohjet ndërkombëtare dhe ndërtimin e institucioneve të vendit.
Osmani tha se gjatë mandatit të saj u krijua një marrëdhënie besimi me administratën amerikane, e cila, sipas saj, i hapi Kosovës një mundësi të re në raportet me Uashingtonin. Ajo hodhi poshtë idenë se kjo marrëdhënie ishte thjesht transaksionale.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Osmani deklaroi se në komunikimet e saj me nivelet e larta të administratës amerikane nuk i ishte kërkuar Kosovës të bënte lëshime ndaj Serbisë. Sipas saj, Uashingtoni kishte ndarë marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-SHBA nga raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
E pyetur nëse afrimiteti me administratën Trump kishte sjellë pasoja negative për Kosovën, Osmani tha se deri tani nuk kishte pasur pasoja të tilla dhe se në takimet e saj me zyrtarë të lartë amerikanë kishte marrë mesazhin për vijimin e bashkëpunimit.