Kosova
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, zgjidhen 4 nënkryetarë, PDK mbetet jashtë
Me përfundimin e procesit të konstituimit, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur katër nga pesë nënkryetarët e legjislativit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, në postin e nënkryetarit është zgjedhur Ardian Gola, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet në Kryesinë e Kuvendit nga Kujtim Shala.
Përfaqësuesja e komunitetit serb në postin e nënkryetares është zgjedhur Tanja Vujoviç, ndërsa për komunitetet joshumicë është zgjedhur Emilija Rexhepi.
Posti i nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës ka mbetur ende vakant. PDK-ja nuk mori pjesë në seancën konstituive dhe ka pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut, në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Me zgjedhjen e katër nënkryetarëve përfundon pjesa kryesore e procesit të konstituimit të Kuvendit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar përfaqësuesi i PDK-së në Kryesinë e legjislativit.