Kosova
Nga sot edhe 59 dite/ Kurti ngriti qeverine, por opozita mban çelesin per presidentin
Dhe pikërisht këtu nis kapitulli i ri i përplasjes politike.
Kuvendi është shpallur i konstituuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, edhe pse ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. Por përfundimi i betejës për formimin e Qeverisë ka aktivizuar menjëherë një tjetër afat kushtetues: atë për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Matematika parlamentare është tashmë më e ndërlikuar.
Në dy raundet e para për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota, ndërsa në raundin e tretë kërkohen të paktën 61. Por përtej numrit të votave, një tjetër problem është pjesëmarrja e deputetëve, pa të cilën procesi nuk mund të zhvillohet.
Kjo e bën të domosdoshëm bashkëpunimin me opozitën.
Pas konstituimit të Kuvendit ka nisur numërimi mbrapsht i 60 ditëve. Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova rikthehet në zgjedhje.
Zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
Ky skenar ka ndezur edhe debatet politike në Prishtinë. Nga opozita është ngritur pretendimi se zvarritja e konstituimit të Kuvendit mund të ketë qenë pjesë e një skenari për ta çuar vendin në zgjedhje në fund të dhjetorit.
Në këtë kuadër është përmendur edhe data 27 dhjetor, një periudhë kur një pjesë e madhe e diasporës ndodhet në Kosovë. Kjo mund të ishte politikisht e favorshme për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e fundit mori një përqindje më të lartë të votave nga jashtë vendit.
Megjithatë, 27 dhjetori nuk është një datë e përcaktuar. Është një skenar politik. Kushtetuta përcakton një afat maksimal prej 45 ditësh pas shpërndarjes së Kuvendit dhe jo detyrimin për të pritur deri në ditën e fundit.
Ndërkohë, 62 votat që siguruan Qeverinë nuk janë të mjaftueshme për të garantuar Presidentin.
Është përmendur mundësia e një marrëveshjeje me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por brenda kësaj partie ka deputetë që kanë shprehur kundërshtime.
Në anën tjetër, PDK-ja ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mënyrës se si është përmbyllur konstituimi i Kuvendit.
Dhe vendimi i Kushtetueses mund të bëhet një tjetër pikë kthese në këtë krizë.
Pra, votimi i Qeverisë nuk e mbylli krizën politike në Kosovë.
Vetëm e zhvendosi atë.
Albin Kurti tashmë ka Qeverinë dhe një shumicë minimale parlamentare. Por për të zgjedhur Presidentin do t’i duhet diçka që nuk i është dashur për formimin e kabinetit: kompromisi me opozitën.
Nëse kompromisi nuk arrihet brenda 60 ditëve, Kuvendi që sapo u konstituua mund të shkojë drejt shpërndarjes dhe Kosovës mund t’i duhet të rikthehet edhe një herë te kutitë e votimit.
Një tjetër krizë, një tjetër numërim mbrapsht dhe një tjetër betejë për pushtetin.
Kosova duket se po bën sërish një hap përpara dhe dy hapa pas.