Kosova
“Ky proces ishte farsë”/ Diplomati amerikan godet Gjykatën Speciale para vendimit
William Walker, diplomati amerikan në pension dhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ka shprehur kritika të forta ndaj procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë, pak para shpalljes së aktgjykimit.
Në një deklaratë për “Gazetën Express”, Walker tha se e pret me ankth vendimin dhe argumentoi se procesi ka zgjatur tepër, ndërsa sipas tij është mbështetur mbi një interpretim të gabuar të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Walker kundërshtoi pretendimin se UÇK-ja kishte funksionuar si një ushtri me një zinxhir të qartë komandimi, duke thënë se organizimi ishte më shumë i decentralizuar dhe se kishte komandantë rajonalë. Për këtë arsye, ai e cilësoi procesin si “në thelb politik” dhe shprehu dyshime se nga ky proces mund të vijë drejtësia.
Diplomati amerikan në pension kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e paraburgimit të të akuzuarve, duke argumentuar se rreth gjashtë vite në paraburgim kanë ndikuar rëndë në jetën e tyre. Sipas tij, parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të jetë themelor dhe një person nuk duhet të qëndrojë në burg pa u përcaktuar faji përfundimisht.
Walker tha se, pavarësisht nëse aktgjykimi do të jetë fajësues apo pafajësues, ai e konsideron të gabuar mënyrën se si është zhvilluar i gjithë procesi. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin se gjyqi ka ndikuar në imazhin ndërkombëtar të Kosovës, të cilën e përshkroi si një vend që ka bërë përpjekje për të konsoliduar institucionet dhe identitetin e saj demokratik pas luftës.
Deklaratat e Walker vijnë në prag të shpalljes së vendimit për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, ndërsa Gjykata Speciale pritet të japë aktgjykimin në Hagë.