Thinking ...
Connect with us

Kosova

Uashingtoni ngre alarmin për Kosovën: Kriza politike po frenon partneritetin me Amerikën

Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por njëkohësisht shprehin shqetësim për ngërçin politik dhe pasojat që ai po sjell në funksionimin e institucioneve.

Mesazhi amerikan është që Kosova të përmbyllë sa më shpejt procesin e formimit të institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.

Një tjetër shqetësim i SHBA-së lidhet me komunitetin serb në Kosovë. Uashingtoni kërkon që të gjithë qytetarëve t’u garantohen të drejta dhe mbrojtje të barabartë, ndërsa vlerëson rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Edhe dialogu Kosovë-Serbi mbetet në fokusin amerikan. Sipas Lawton, procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët.

Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet të shmangin veprimet provokuese, të zbatojnë zotimet e marra dhe t’i rikthehen dialogut pa parakushte.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po kërkon të forcojë partneritetin edhe me Serbinë, veçanërisht në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi.

Politika amerikane për Ballkanin Perëndimor fokusohet në tre drejtime: stabilitetin rajonal, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar dhe përballjen me kërcënimet e sigurisë.

Në këtë kuadër, SHBA kërkon nga vendet e rajonit më shumë zgjidhje lokale, zhvillim ekonomik dhe forcim të kapaciteteve të mbrojtjes, ndërsa aleatëve të NATO-s u kërkohet një angazhim më i madh financiar për sigurinë.

Mesazhi i Uashingtonit për Ballkanin është i qartë: stabilitet politik, bashkëpunim ekonomik dhe më shumë përgjegjësi në fushën e sigurisë.

Advertisement