Thinking ...
Connect with us

Politike

SHBA GRIS ÇEKUN E BARDHE/ Ndryshon kursi: Ballkani duhet ti zgjidhë vetë problemet e saj

Shtetet e Bashkuara rikthejnë Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjes. Në një dëshmi para Kongresit amerikan, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, prezantoi kursin që Uashingtoni synon të ndjekë në rajon: stabilitet, zgjerim të interesave ekonomike amerikane dhe luftë kundër kërcënimeve që prekin drejtpërdrejt SHBA-në.

Në këtë strategji, një vend të veçantë zë lufta kundër organizatave kriminale transnacionale të Ballkanit, të cilat, sipas zyrtarit amerikan, bashkëpunojnë drejtpërdrejt me kartele të Hemisferës Perëndimore.

Shqipëria përmendet posaçërisht në dëshminë e Lawton. Ai tha se Uashingtoni po punon ngushtë me Tiranën për goditjen e organizatave kriminale transnacionale, ndërsa paralelisht synon zgjerimin e aksesit të kompanive amerikane në tregun shqiptar.

“Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg”, deklaroi Lawton.

Zyrtari amerikan njoftoi gjithashtu se është finalizuar një hua për Shqipërinë në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak. Sipas tij, financimi do të ndihmojë vendin të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA.

Por mesazhi i Uashingtonit për Ballkanin shkon përtej sigurisë.

Lawton tha se politika amerikane do të mbështetet mbi tre shtylla: ruajtjen e stabilitetit, zgjerimin e interesave ekonomike dhe tregtare amerikane dhe bashkëpunimin me partnerët kundër kërcënimeve, veçanërisht krimit të organizuar transnacional.

Në të njëjtën kohë, SHBA sinjalizon një ndryshim të mënyrës së angazhimit në rajon.

Sipas Lawton, “epoka e ndërtimit të kombeve nga jashtë ka përfunduar” dhe Uashingtoni nuk ofron më mjete të pakufizuara për objektiva të papërcaktuara.

Mesazhi është i qartë: liderët e vendeve të Ballkanit duhet të gjejnë vetë zgjidhje për problemet e tyre, ndërsa SHBA do të mbështesë ata që orientohen drejt rezultateve konkrete dhe pragmatike.

Në dëshminë e tij, Lawton preku edhe pikat më të nxehta të rajonit. Për Kosovën, ai riafirmoi përkushtimin amerikan ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial, ndërsa kërkoi përfundimin e procesit institucional dhe shprehu shqetësime për veprimet ndaj popullsisë serbe.

Në planin ekonomik, Uashingtoni vendos theks të fortë te projektet energjetike dhe infrastrukturore që mund të krijojnë hapësirë edhe për kompanitë amerikane.

Në këtë panoramë, Shqipëria shfaqet si një prej aleatëve me të cilët SHBA thotë se po bashkëpunon drejtpërdrejt në dy fronte: luftën kundër krimit transnacional dhe zgjerimin e pranisë ekonomike amerikane.

Mesazhi i ardhur nga Kongresi amerikan tregon një Ballkan ku Uashingtoni nuk tërhiqet, por kërkon një angazhim më të fokusuar te siguria, ekonomia dhe rezultatet konkrete.

Dhe në këtë strategji të re, Shqipëria është pjesë e drejtpërdrejtë e axhendës amerikane.

Advertisement