Kosova
Verdikti në Hagë/ Smith: 385 persona u ndaluan arbitrarisht nga anëtarët e UÇK-së
Teksa po lexon aktgjykimin, trupi gjykues po rendit atë që, sipas provave të shqyrtuara gjatë procesit, ka ndodhur me personat e ndaluar nga ish komandantët e UCK-së gjatë luftës në Kosovë.
“Shumë viktima u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë. Shumë prej tyre u rrahën, u keqtrajtuan dhe iu konfiskuan sendet personale. Provat tregojnë se ata u ndaluan si ‘bashkëpunëtorë’ ose ‘spiunë’. Shumë prej të ndaluarve ishin të lidhur me zinxhirë. Ndër ta kishte mësues, bujq, si edhe në disa raste gra dhe fëmijë. Nuk ka prova që ndonjëri prej tyre të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale apo në aktivitete që mund të përbënin kërcënim për UÇK-në. Viktimat u mbajtën në ndalim mbi bazën e thashethemeve. Midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 14 komuna të Kosovës, anëtarë të UÇK-së kryen veprime ose mosveprime ndaj 385 personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Trupi gjykues konstaton se Zyra e Prokurorit të Specializuar i vërtetoi krimet e luftës. Gjithashtu, trupi gjykues konstatoi se në qendrat e ndalimit në Kosovë dhe Shqipëri u krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, në ambiente si shkolla, stalla dhe bodrume” tha Smith.