Kosova
HAGA DENON ME 81 VITE BURG ISH KRERET E UÇK
Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burg në total nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Trupi gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkohë, bien akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Gjatë shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, një nga kushtet për cilësimin e veprimeve si krime kundër njerëzimit.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
Gjykata theksoi gjithashtu se nuk është bindur që personat e shënjestruar mund të cilësohen si popullatë civile, një tjetër element i rëndësishëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.