Kosova
Bota sytë nga Haga/ 81 vite burg për ish krerët e UÇK-së mbushin mediat ndërkombëtare
Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është pasqyruar gjerësisht nga mediat ndërkombëtare.
Në fokus të raportimeve është dënimi me 25 vite burgim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa mediat kanë raportuar edhe për dënimet ndaj tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
“The Guardian” e ka vendosur lajmin në krye të raportimeve për zhvillimet në Europë, duke theksuar dënimin e Thaçit me 25 vite burgim nga gjykata në Hagë.
Edhe agjencia “Reuters” ka raportuar për aktgjykimin, duke bërë të ditur se Thaçi është dënuar me 25 vite burgim dhe se gjykata e ka shpallur fajtor për vepra penale që lidhen me vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm.
Vendimit i kanë kushtuar hapësirë edhe “Euronews”, “Deutsche Welle”, “Al Jazeera” dhe “Sky News”. Raportimet e tyre kanë vënë në fokus dënimin e ish-presidentit të Kosovës dhe procesin gjyqësor për krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.
Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite, ndërsa Selimi me 13 vite. Në total, katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin.

