Kosova
Burg për ish krerët që sollën lirinë e Kosovës/ Ali Ahmeti: Zhgënjyes…
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut dhe një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Ahmeti e ka cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”, ndërsa ka bërë thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që pas shpalljes së dënimeve të shmangen tensionet dhe përçarjet.
Në reagimin e tij, Ahmeti thekson se katër ish-krerët e UÇK-së janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Ai përmendi gjithashtu pretendimet e mëhershme për trafikim organesh, duke theksuar se ato nuk janë përfshirë në akuzat e këtij procesi.
“Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”, shkroi Ahmeti.
Ai u shpreh se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar me vendimin e shkallës së parë dhe deklaroi se mbrojtja do të vijojë betejën ligjore në Gjykatën e Apelit.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, thuhet në reagimin e tij.