Thinking ...
Connect with us

Kosova

Burg për ish krerët e UÇK/ Shpërthen Grenell: Albin Kurti të shpërbëjë këtë gjykatë

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Grenell e ka cilësuar dënimin e Thaçit si “skandaloz” dhe ka kërkuar ndërprerjen e financimit të gjykatave ndërkombëtare që, sipas tij, zhvillojnë ndjekje penale me karakter politik.

Grenell ka kritikuar gjithashtu trupin gjykues dhe prokurorin e çështjes, duke pretenduar se vendimi nuk është mbështetur në mënyrë të mjaftueshme në aspektet ligjore. Ai iu referua edhe deklarimeve të ish-këshilltarëve të Bill Clintonit lidhur me rolin e Thaçit gjatë luftës së Kosovës.

Në reagimin e tij, Grenell i bëri thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, që të ndërmarrin hapa lidhur me financimin e këtyre proceseve.

Ai i kërkoi gjithashtu kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të veprojë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se Kosovës nuk i nevojitet një gjykatë që funksionon jashtë territorit të saj.

Postimi i plotë:

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të çmendur të së majtës. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte udhëheqësi i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur politikën e Jack Smith.

Të gjitha këto gjykata duhet t’u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund.

Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë.”

Advertisement