Kosova
Akuzat për vendim politik ndaj ish krerëve të UÇK/ ULTIMATUM nga Brukseli
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Kos e cilësoi Gjykatën Speciale si një organ gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm dhe theksoi se vendimet e saj duhet të respektohen.
“Gjykata Speciale e Kosovës është një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e saj duhet të respektohen, ndërsa të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë”, shkroi ajo.
Komisionerja evropiane theksoi se procesi lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, duke përfshirë komunitetet e ndryshme në Kosovë.
Kos u bëri gjithashtu thirrje aktorëve politikë dhe shoqërorë në rajon që të kontribuojnë në tejkalimin e pasojave të së kaluarës.
“Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.
Reagimi i saj vjen pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Sipas të dhënave zyrtare të Dhomave të Specializuara, vendimi është pjesë e një procesi që ka nisur në vitin 2023 dhe ku gjatë gjykimit janë dëgjuar 134 dëshmitarë.