Kosova
Profesori amerikan sfidon vendimin e Hagës: Nuk mohoj krimet, por…
Profesori amerikan Daniel Serwer ka kritikuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe duke shprehur kritika edhe ndaj vetë gjykatës.
Në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit, Serwer argumenton se, sipas tij, problematik nuk është vetëm vendimi i dhënë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, por edhe institucioni që e ka marrë këtë vendim.
Megjithatë, profesori amerikan thekson se kjo nuk do të thotë se mohon ekzistencën e krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së. Sipas tij, disa prej pretendimeve për krime janë të mbështetura në fakte.
Duke iu referuar në mënyrë të veçantë Hashim Thaçit, Serwer ka shprehur qëndrimin se ish-presidenti i Kosovës nuk kishte, sipas tij, autoritet komandues mbi forcat që dyshohet se kryen krime.
Serwer tha se këtë qëndrim e mbështet edhe te dëshmitë e amerikanëve që, sipas tij, kishin dijeni për situatën, si dhe te bisedat që ai vetë kishte zhvilluar me Thaçin pas luftës. Sipas profesorit amerikan, Thaçi i kishte thënë se roli i tij gjatë luftës ishte i kufizuar në atë të një zëdhënësi politik të UÇK-së dhe se nuk kishte qenë luftëtar apo komandant.
“E di këtë sepse jo vetëm që amerikanët që e dinin këtë dëshmuan në gjykimin ndaj tij, por edhe sepse në bisedat me të pas luftës, para luftëtarëve të UÇK-së, ai më tha se roli i tij ishte i kufizuar në zëdhënës politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandant”, shkroi Serwer.
Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën më 16 shtator aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Sipas aktgjykimit, të katër u shpallën fajtorë për një sërë krimesh lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë të ankohen.