Thinking ...
Connect with us

Kosova

30 ditë për apelim, pastaj TRENDAFILJA e ‘Dhomave të Specializuara’ do vendosë ku do ta kryejnë dënimin ish-krerët e UÇK-së

Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nuk është ende përfundimtar. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë 30 ditë kohë për të paraqitur njoftimin për apel, ndërsa të njëjtën të drejtë e ka edhe Prokuroria.

Sipas një përgjigjeje të Dhomave të Specializuara të Kosovës për Albanian Post, pasi të përfundojnë procedurat gjyqësore, Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, do të vendosë se në cilin shtet do të transferohet secili prej personave të dënuar për të vuajtur dënimin.

Gjykata sqaron se, sipas rregullave, Presidentja duhet fillimisht të dëgjojë personin e dënuar dhe më pas të marrë vendimin për shtetin ku do të ekzekutohet dënimi.

Por për momentin, çdo hap mbetet i kushtëzuar nga procedura e apelit.

Mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin e shkallës së parë. Deri në përfundimin e procesit të apelit, aktgjykimi nuk është përfundimtar.

As Prokuroria dhe as mbrojtja nuk kanë një afat të përcaktuar për përfundimin e procesit të Apelit. Rregullat e Dhomave të Specializuara nuk përcaktojnë një periudhë fikse brenda së cilës paneli i Apelit duhet të japë vendimin e tij.

Kjo do të thotë se transferimi i tyre në një shtet tjetër nuk pritet të ndodhë menjëherë. Gjykata ka bërë të ditur se nuk ekziston aktualisht një afat konkret për transferimin, pasi gjithçka varet nga përfundimi i procedurave gjyqësore dhe nga vendimi përfundimtar.

Në shkallën e parë, Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, Jakup Krasniqi me 25 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim.

Tashmë, pas vendimit të shkallës së parë, nis një tjetër betejë ligjore: 30 ditët për apel dhe më pas shqyrtimi nga Gjykata e Apelit.

Vetëm pasi të përfundojë kjo fazë dhe dënimi të bëhet përfundimtar, do të hyjë në veprim procedura për përcaktimin e shtetit ku katër ish-krerët e UÇK-së do të vuajnë dënimin.

Advertisement