Kosova
Frenon Vuçiç: Asgjë nuk ka mbaruar, ja kush nga Kosova mund ta kthej vendimin që dha Gjykata e Hagës
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar në Beograd pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke u bërë thirrje serbëve të mos e konsiderojnë procesin të përfunduar dhe të mos e presin vendimin me eufori.
Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u dënuan në shkallë të parë me një total prej 81 vitesh burgim. Vendimi është i apelueshëm.
Vuçiç tha se, sipas tij, nuk ka arsye as për festë dhe as për dëshpërim, pasi procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende.
“Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të pikëllohemi. Edhe nëse vendimi konfirmohet, gjë që e kam të vështirë ta besoj, ekziston edhe një instancë e tretë, Gjykata Kushtetuese”, deklaroi presidenti serb.
Ai iu referua edhe mundësisë së një shqyrtimi të mëtejshëm juridik në Kosovë, duke argumentuar se çështja mund të kthehet për rigjykim.
Vuçiç këmbënguli gjithashtu se aktgjykimi, sipas tij, nuk përfshiu disa prej akuzave më të rënda që Serbia ka ngritur ndaj UÇK-së.
Për këtë arsye, presidenti serb u bëri thirrje qytetarëve serbë që të presin zhvillimet e mëtejshme me qetësi.
“Prandaj nuk duhet ta presim këtë vendim me eufori, por të jemi të duruar”, tha Vuçiç.
Deklarata e tij vjen menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë, duke e zhvendosur vëmendjen te faza e ardhshme e procesit: ankimi dhe shqyrtimi i vendimit në instancat përkatëse.