Thinking ...
Connect with us

Shkrime

HAGA, ÇMIMI I BINDJES NDAJ SHBA DHE BE-SE

Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk është vetëm një çështje drejtësie për analistin Andi Bushati. Në opinionin e tij, ai e sheh atë si përfundimin e një epoke të tërë politike, të cilën e përkufizon si epoka e servilizmit ndaj Perëndimit.

Bushati argumenton se rrënjët e asaj që ndodhi në Hagë duhen kërkuar jo vetëm te Serbia, Rusia apo te dëshmitarët e procesit, por mbi të gjitha te mënyra se si, sipas tij, elitat politike shqiptare iu bindën kërkesave të SHBA-së dhe aleatëve evropianë.

Duke e kthyer vëmendjen te vitet 2011–2015, autori kujton debatin për raportin e Dick Marty-t dhe më pas votimin në Kuvendin e Kosovës për krijimin e Dhomave të Specializuara.

Sipas Bushatit, edhe Hashim Thaçi, që mbështeti krijimin e Speciales, edhe Albin Kurti, që e kundërshtoi, e kuptonin se ky proces do të kishte pasoja të rëndësishme për imazhin e Kosovës dhe historinë e luftës së UÇK-së.

Por, sipas tij, dallimi qëndronte te rruga që duhej ndjekur.

Bushati e përshkruan Thaçin si përfaqësues të qasjes se Kosova duhej t’u bindej aleatëve strategjikë, ndërsa Kurtin si pjesë të një grupimi më të vogël që argumentonte se aleanca nuk duhet të nënkuptonte bindje pa kushte.

“Të gjithë ata që morën vendimin u bënë bashkë me një slogan: ‘Do t’u bindemi partnerëve strategjikë’”, shkruan Bushati.

Por sot, pas vendimit të Hagës, autori thotë se dilema e atëhershme ka marrë një përgjigje të hidhur.

Ai pranon se gjatë luftës së Kosovës mund të kenë ndodhur krime dhe se disa komandantë mund ta kenë përdorur luftën për interesa personale. Por vë në pikëpyetje motivet që, sipas tij, qëndruan pas krijimit të Speciales.

Bushati shprehet se dyshon që presioni ndërkombëtar për ngritjen e saj ishte motivuar vetëm nga kërkesa për drejtësi dhe sugjeron se mekanizmi mund të ketë shërbyer edhe si pjesë e një pazari më të gjerë gjeopolitik, përfshirë raportet me Beogradin dhe Moskën.

Këto janë interpretime të autorit dhe jo një konstatim i provuar mbi motivet e shteteve apo institucioneve ndërkombëtare.

Bushati rikthen në vëmendje edhe mënyrën e arrestimit të Hashim Thaçit, duke e lidhur atë me momentin kur ish-presidenti ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje.

Sipas tij, Kosova duhet të kishte kërkuar alternativa të tjera për mekanizmin e drejtësisë, përfshirë një institucion vendas me gjyqtarë ndërkombëtarë ose një zgjidhje nën mbikëqyrjen e EULEX-it.

Ai kritikon edhe Tiranën zyrtare të asaj kohe, duke pretenduar se në vend që të kundërshtonte këtë model, ajo u angazhua për ta mbështetur.

Në këtë pikë, Bushati rikthen edhe argumentin e përdorur më vonë nga Thaçi, se Kosova ishte vënë përpara alternativës së pranimit të Speciales ose përballjes me një mekanizëm të mundshëm të krijuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Për Bushatin, problemi sot nuk është vetëm dënimi i katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por edhe çmimi politik i zgjedhjeve të bëra më shumë se një dekadë më parë.

Ai e quan rezultatin një disfatë “numerike dhe morale” dhe e lidh atë me atë që e cilëson si “verbëri” ndaj Perëndimit.

Në përfundim, mesazhi i tij është i prerë: Kosova duhet të nxjerrë një mësim nga vendimi i 16 shtatorit.

“Askush nuk do të na respektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten”, shkruan Bushati, duke e konsideruar verdiktin e Hagës si momentin që duhet të shënojë, sipas tij, mbylljen e epokës së “servilizmit pa kushte ndaj Perëndimit”.

SHKRIMI I PLOTE NGA Andi Bushati

Ajo është pasojë e servilizmit ekstrem që ne kemi kultivuar ndaj asaj që na diktohet prej SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë perendimorë.

Për të kuptuar këtë duhet ta kthejmë filmin në vitet 2011-2015, pra në atë kohë kur nuk qemë në gjendeje të ndërmerrnim hapat e duhur kundër raportit të Dik Martit në Këshillin e Evropës e deri në ditën kur parlamenti i Kosovës votoi për ngritjen e dhomave të specializuara. Të gjithë, pa përjashtim, e dinin se ngritja e këtij organi “sui generis”, që do të jepte vendime në emër të popullit të Kosovës me dosje të servirura nga Serbia, do të përfundonte me vendosjen e një njolle turpi. Mjafton të shikosh sot fjalimet e mbajtura në kuvend, në vitin 2015, qoftë ato të Hashim Thaçit, që bënte thirrje për ngritjen e kësaj gjykate, qoftë ato të Albin Kurtit që shpallte argumentat se përse duhej votuar kundër, për të konkluduar se këta dy liderë ekstremisht të ndryshëm bashkoheshin në një pikë: se kjo ishte një sakrificë me pasoja për të ardhmen e Kosovës dhe për imazhin që do të linte në histori lufta e saj çlirimtare.

Por, këto dy lexime përafërsisht të njëjta të situatës divergonin në dy rrugëzgjidhje krejtësisht të ndryshme. Hashimi përfaqësonte një shumicë dërrmuese në shoqëri, në Prishtinë dhe Tiranë, e cila besonte se ne duhet ti bindemi symbyllur Uashingtonit dhe Brukselit, sepse e vetmja forcë që kemi është aleanca, qoftë edhe në gabim, me ta. Albini, i pritnte një grupi ku e ku më të vogël në numur, ndonëse më parimor e me të gatshëm për të vënë trurin në punë, që predikonte se nëse i bindemi me çdo çmim partnerëve tanë, nuk mund të pretendojmë më që ata të na duan më shumë sesa veten.

Sot ne po e shohim para syve produktin e zgjidhjes që i dhamë kësaj dileme. Po, është e vërtetë që UÇK-ja ka njollat e saj kriminale. Po është e vërtetë që shumë komandantë e përdorën luftën çlirimtare për tu pasuruar personalisht dhe për ta shfrytëzuar si trampolinë për pushtetin e nesërm, duke eleminuar kundërshtarët.

Por, sado të vërteta të jenë këto mëkate deri më dje të pandëshkuara, pyetja është nëse insistimi i aleatëve tanë perendimorë për ngritjen e një Gjykatë Speciale u motivua nga meraku idealist për të zbardhur këtë pjesë të errët?

Dyshoj se jo! Me shumë gjasë ajo qe një karrem për të afruar Beogradin dhe një pjesë këmbimi në negociatat me Moskën. Këtë pandehmë e përforcojnë më shumë edhe qëndrime si ato të ndonjë ish zyrtari amerikan që ka treguar për dhuratën që iu bë Rusisë për të pranuar marveshjen e kontrollit bërthamor të Iranit. Gjithçka e bën edhe më evidente mënyra se si u arrestua Hashim Thaçi dhe forcat që vendosën në kulisa ta bëjnë këtë, ndërkohë që ai pati marrë avionin për të nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.

Pra, gati një shekull burg për ish kretër e UÇK që morrëm në këmbim, mund të mos kenë qenë asgjë më shumë sessa keqpërdorja e besimit qorr që ne i dhamë Brukselit dhe Uashingtonit. Deputetët e Kosovës në vend që të shkonin me bisht në shalë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të imponuara nga jashtë, minimumi duhet të kishin bërë përpjekje për të kërkuar rrugë alternative, qoftë me ngritjen e një institucioni vendas me gjyqtarë të huaj, qoftë me ndonjë zgjidhje nën mbikqyrjen e Eulex. Qeveritarët e asaj kohe duhet të kishin eksploruar rrugë të reja pa u bindur si yes man-ë ndaj propozimit unik të aleatëve. Tirana zyrtare duhej të ushtronte persion për mos realizimin e kësaj zgjidhjeje ekstreme, në vend që të niste kryeministrin me helikopter si emisar të amerikanëve.

Të gjithë ata që morën vendimin u bënë bashkë me një slogan: “Do ti’u bindemi partenrëve strategjikë“.

Tani, me vonesë, shumë vite më pas, kur ishte bindur se gjërat po shkonin keq e më keq, ish presidenti Thaçi u justifikua se e pati hedhur këtë hap, pasi e kishin kërcënuar se Gjykata do të ngrihej gjithësesi, qoftë edhe nëse Kosova nuk pranonte ta vontonte, porse në këtë rast do të qe më keq, pasi vendimi për të do të merrej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku gjendeshin edhe vende jo aleate si Kina e Rusia.

Duke mos e ditur se sa i panegociueshëm ishte ky version dhe mbi të gjitha, se si do të përfundonte kjo rrugë e panjohur, një gjë është e sigurtë, duke rrefuzuar të pranonin diçka që i dukej e padrejtë, në dëm të imazhit të vendit të tyre dhe me pasoja për të ardhmen, liderët e Kosovës mund të mos shmanginin dot pasojat e rënda por së paku do të ruanin dinjitetin.

Duke u sjellë si servilë ata i sakrifikuan të dyja edhe bindjen e tyre edhe llogaritë e viteve të burgut.

Pasi sot pyetja shtrohet: A mund të ndodhte më keq sesa kaq: A mund të kishte një përfundim më të errët sesa një gjykatë, që e dënoi Hashimin e Kadriun me dyfishin e viteve burg që u kishte dhënë Serbia dhe që i njohu atyre përgjegjësi kolektive që Tribunali Kundër Krimeve në ish Jugosllavi, nuk kishte pranuar ta bënte për Ramush Haredinajn?

Disfata si numerike dhe morale është më e madhja e mundshëme. Ajo është mbi të gjitha pasojë e një verbërie të padurueshme kundrejt perëndimit. Pasojë e një “PO”-je të dhënë vetëm në emër të parteritetit. Pasojë e një përkuljeje që s’mund të ketë lidhje me mirënjohjen për atë që aleatët na “dhuruan” në 1999. Prandaj nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Pas episodeve më minore si ato me “non grata”-n në Shqipëri, apo me asosiacionin në Kosovë, vendimi i fundit i Hagës duhet të konsiderohet si mbyllja e epokës së servilizmit pa kushte ndaj perëndimit.

Advertisement