Kosova
Frikë për tensione/ BE thirrje Kosovës: Respektoni vendimin, shëroni plagët e të kaluarës
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje aktorëve politikë në Kosovë dhe vendeve të rajonit që të respektojnë vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe të kontribuojnë në procesin e pajtimit, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, deklaroi se Dhomat e Specializuara zhvillojnë procedura të drejta, të paanshme dhe të pavarura, ndërsa theksoi se vendimet bazohen në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Ai rikujtoi gjithashtu se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin në shkallën e dytë.
Edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerim, Guillaume Mercier, theksoi se aktgjykimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen. Sipas tij, procesi lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa rajoni duhet të punojë për pajtimin dhe tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës.
Reagimi i Brukselit vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë të 16 shtatorit, në të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burg.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme politike në Kosovë dhe Shqipëri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar vendimin si padrejtësi, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama e ka kritikuar ashpër atë.