Kosova
VENDIMI NE HAGE, ASIST PER VUCICIN, BEOGRADI NIS FUSHATE PER Ç’NJOHJEN E KOSOVES
Buzhala argumentoi se Beogradi mund ta përdorë vendimin e Gjykatës Speciale si pjesë të një fushate më të gjerë politike dhe diplomatike kundër Kosovës.
Sipas tij, Serbia synon ta shfrytëzojë çështjen e Hagës për të rikthyer në skenë fushatën për tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Buzhala e cilësoi vendimin si një “favor politik” për Vuçiçin, duke e lidhur atë edhe me situatën e brendshme politike në Serbi dhe me fushatën zgjedhore.
“Këto dënime janë reflektim i lobimit të fuqishëm serb në qendra të ndryshme botërore”, deklaroi Buzhala.
Ai tha se Vuçiçi po e përdor tashmë çështjen e Hagës në komunikimin e tij politik, duke paralajmëruar një tjetër fushatë për çnjohjet e Kosovës.
Sipas Buzhalës, në këtë situatë shqetësimi kryesor është edhe reagimi i Kosovës, pasi, në vlerësimin e tij, Prishtina nuk po ndërmerr hapa të mjaftueshëm diplomatikë për t’iu përgjigjur kësaj situate.
“E çka po bëjmë ne? Nuk po bëjmë asgjë. Çfarë po bën Kosova?”, u shpreh gazetari.
Buzhala shkoi edhe më tej, duke kundërshtuar bazën ligjore të akuzave ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Unë personalisht kam thënë këtë herë që aktakuzat me të cilën po përballen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk janë të bazuara në ligj”, tha ai.
Deklaratat e Buzhalës e vendosin vendimin e Hagës në një kontekst më të gjerë politik, ku përplasja Kosovë–Serbi mund të shtrihet edhe në arenën diplomatike, veçanërisht për çështjen e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.