Thinking ...
Connect with us

Kosova

HEROJTË E NJËRIT, KRIMINELËT E TJETRIT/ MARTENS: BALLKANI DO PËRBALLET PERSERI ME TË SHKUARËN

E kaluara nuk zhduket thjesht sepse lufta ka përfunduar. Kjo është teza mbi të cilën ndërton analizën e tij gazetari gjerman Michael Martens, në një koment të publikuar në “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.

Martens sjell në vëmendje dy ngjarje që, sipas tij, tregojnë se sa e vështirë mbetet për shoqëritë e rajonit të përballen me pjesët më të errëta të historisë së tyre.

Në Serbi, ai përmend reagimet ndaj Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, i dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë. Ndërsa në Kosovë, Martens ndalet te reagimet ndaj procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.

Autori thekson se reagimet në Kosovë ndaj dënimit të Thaçit duhen parë edhe në kontekstin e luftës së Kosovës dhe krimeve të kryera ndaj shqiptarëve.

Por, në të njëjtën kohë, Martens argumenton se krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së nuk mund të mohohen apo të justifikohen vetëm duke iu referuar krimeve të forcave serbe. Sipas tij, pranimi i krimeve të kryera nga pala shqiptare është pjesë e domosdoshme e përballjes me të kaluarën.

Në analizën e tij, Martens vendos një dallim të qartë mes figurës së Ratko Mlladiqit dhe Hashim Thaçit. Ai argumenton se përmasat, rrethanat dhe kronologjia e krimeve nuk janë të njëjta dhe se krahasimi i drejtpërdrejtë mes tyre rrezikon të krijojë një ekuivalencë të rreme. Në të njëjtën kohë, gazetari nënvizon se kjo nuk e heq përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës.

Mesazhi qendror i komentit është se përballja me të kaluarën nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e krimeve të palës tjetër. Sipas Martens, krimet e njërit krah nuk i zhdukin krimet e krahut tjetër. Ai argumenton se shoqëritë e Ballkanit duhet të jenë në gjendje të pranojnë edhe pjesët e pakëndshme të historive të tyre kombëtare.

A mund të ndërtohet një e ardhme e përbashkët pa një përballje të sinqertë me krimet e së kaluarës? Michael Martens argumenton se përgjigjja varet jo vetëm nga gjykatat, por edhe nga gatishmëria e vetë shoqërive për të pranuar përgjegjësinë dhe për të mos e përdorur krimin e palës tjetër si justifikim për të mohuar krimet e veta.

Advertisement