Kosova
MOSKA PO SHFRYTEZON ÇARJET NË BALLKAN/ PARALAJMËRIMI I ISH-ZYRTARIT AMERIKAN
Rruga ende e papërfunduar e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s po krijon hapësirë për rritjen e ndikimit rus në rajon.
Alarmi vjen nga Matthew Palmer, ish-Përfaqësues Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, i cili në një intervistë për agjencinë FENA tha se
Moska kërkon të identifikojë dhe të shfrytëzojë dobësitë politike, sociale dhe institucionale në Evropë dhe veçanërisht në Ballkan.
Sipas Palmer, një nga fushat ku Rusia mund të zgjerojë ndikimin është edhe hapësira online.
Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit, paralajmëron ai, mund të thellojnë ndarjet politike e shoqërore dhe të dobësojnë më tej besimin te institucionet.
Palmer e cilëson Ballkanin Perëndimor si veçanërisht të ekspozuar, për shkak të përçarjeve politike dhe sociale në disa vende të rajonit.
Në këtë situatë, ndryshimi i mjedisit evropian të sigurisë e bën, sipas tij, edhe më urgjent integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.
Ish-zyrtari amerikan kërkon gjithashtu që Evropa të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, duke ruajtur në të njëjtën kohë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Palmer paralajmëron se kërcënimet ndaj sigurisë evropiane nuk kufizohen vetëm te konfliktet ushtarake.
Korrupsioni, fragmentimi politik, institucionet e dobëta dhe paqëndrueshmëria ekonomike mund të krijojnë hapësira që aktorë të jashtëm t’i shfrytëzojnë për ndërhyrje dhe zgjerim të ndikimit të tyre.
Mesazhi i Palmer është i qartë: sa më gjatë që Ballkani Perëndimor të mbetet në pritje të integrimit euroatlantik, aq më shumë hapësirë mund të krijohet për ndikime të tjera gjeopolitike.