Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kallas ngre zërin për Kosovën dhe Serbinë: Zbatoni marrëveshjet, ecni përpara

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara në Nju Jork me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimeve, Kallas theksoi nevojën për përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e lidhur këtë proces edhe me rrugëtimin e të dyja palëve drejt Bashkimit Evropian.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve dhe progresi në rrugën drejt BE-së duhet të shkojnë dorë për dore”, shkroi Kallas në rrjetin social “X”.

Ajo nënvizoi se në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja janë arritur marrëveshje detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, dhe kërkoi zbatimin e tyre.

“Zbatimi i tyre nuk është një shërbim ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe rajonit që pret marrëdhënie normale”, deklaroi Kallas, duke shtuar se BE-ja do të vijojë rolin e saj si ndërmjetësuese e paanshme.

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se gjatë bisedës me Kallas ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, veçanërisht krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kërkoi Kallas që BE-ja të ushtrojë presion ndaj Beogradit për ekstradimin e personave të dyshuar për sulmin në Banjskë. Kurti shprehu gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në përfundim, Kallas përcolli një mesazh të qartë për të dyja palët: “Është koha për të ecur përpara”.

Advertisement