Thinking ...
Connect with us

Kosova

KOSOVA NË PRAG ZGJEDHJEVE/ 6 tetori afati për zgjedhjen e presidentit

Kosova mund të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas vendimit të publikuar të mërkurën, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Nëse brenda kësaj date nuk arrihet zgjedhja e presidentit, Kuvendi duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kushtetuta përcakton që zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit. Në rast se Kuvendi shpërndahet më 6 tetor, zgjedhjet mund të zhvillohen brenda afatit që përfundon më 20 nëntor.

Duke qenë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë zhvillohen zakonisht të dielave, 15 nëntori është një nga datat e mundshme nëse procedura për zgjedhjen e presidentit dështon.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton kështu afatin për përfundimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, ndërsa zhvillimet politike në Kuvend gjatë javëve të ardhshme do të përcaktojnë nëse Kosova do të shkojë apo jo në zgjedhje të parakohshme.

Advertisement