Kosova
Vuçiç shteteve që nuk njohin Kosovën: Ju kanë bërë presion, sytë katër me fuqitë e mëdha
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka përdorur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të përsëritur qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës.
Vuçiç falënderoi 107 shtetet që, sipas tij, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa pretendoi se disa prej tyre kanë qenë nën presion për të ndryshuar qëndrim.
“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit. Faleminderit që keni qenë konsistente”, deklaroi Vuçiç.
Në fjalimin e tij, presidenti serb sulmoi edhe ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999.
Sipas Vuçiçit, bombardimet e NATO-s dhe zhvillimet e asaj periudhe kanë lënë pasoja të thella në të drejtën ndërkombëtare.
“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, tha ai.
Vuçiç u ndal edhe te Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, duke akuzuar palën shqiptare se nuk ka përmbushur një nga detyrimet e saj, atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Presidenti serb u bëri gjithashtu thirrje shteteve të tjera që, sipas tij, të tregojnë kujdes në marrëveshjet që lidhin me fuqitë e mëdha.
“Bëjini sytë katër kur nënshkruani me fuqitë e mëdha”, deklaroi Vuçiç, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013.
Ai pretendoi se Serbia ka përmbushur detyrimet e saj të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit, ndërsa Asociacioni i Komunave Serbe, sipas tij, mbetet ende i parealizuar.
Fjalimi i Vuçiçit në OKB vjen në një kohë kur çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vijon të mbetet një nga çështjet kryesore në agjendën diplomatike evropiane.