Pinknews
Transgjinorja rrëfen për tatuazhin me shqiponjë në qafë: Jam penduar që kam provokuar UÇK-në
Erina, një grua transgjinore nga Prishtina, ka rrëfyer përvojën e saj personale, identitetin gjinor dhe procesin e tranzicionit gjatë një interviste në emisionin “Artistët Shqiptarë”, të realizuar nga Butrint Pasjaqa.
Duke folur për fëmijërinë, Erina tha se që në moshë të hershme e kishte ndier veten ndryshe dhe se rreth moshës 10-vjeçare nisi ta kuptonte më qartë identitetin e saj gjinor.
“Që në fillime e dija që jam vajzë. Nuk e dija që jam djalë. Në moshën 10-vjeçare e kam kuptuar. Nuk e shihja dot veten në pasqyrë”, rrëfeu ajo.
Erina tregoi se për një periudhë të gjatë familja i kërkonte të sillej sipas pritshmërive që kishte për të si djalë. Sipas saj, ajo përpiqej të përshtatej me këto kërkesa, ndërsa më vonë vendosi të jetonte në përputhje me mënyrën se si e identifikonte veten.
“Familja më thoshte që duhet të sillesh si djalë. Ia bëja qejfin njerëzve, por erdhi koha që të sillesha siç e ndjeja”, u shpreh ajo.
Ajo tha se gjatë rritjes është përballur me ngacmime dhe mungesë mbështetjeje, si në shkollë, ashtu edhe në familje. Edhe pse ishte rritur në Zvicër, Erina tregoi se familja e saj ruante një qasje tradicionale ndaj roleve gjinore.
Vendimi për të jetuar sipas identitetit të saj gjinor, sipas rrëfimit të Erinës, solli edhe largimin nga familja. Ajo tha se prej rreth 10 vitesh nuk ka kontakte me familjarët.
“Prej 10 vitesh jam larguar nga shtëpia që kur mora vendimin që të ndërroja gjini. Familjarët nuk më kanë kërkuar kurrë, nuk e di ku janë. Mendoja: ‘Unë i kam humbur ata’, por tani që jam rehat me veten, mendoj se ata më kanë humbur mua”, tha Erina.
Në moshën 27-vjeçare, ajo tregoi se nisi procedurat mjekësore të afirmimit gjinor. Sipas rrëfimit të saj, gjatë këtij procesi ka kryer disa ndërhyrje kirurgjikale dhe procedura të tjera, përfshirë kirurgji gjenitale, ndërhyrje në fytyrë dhe gjoks, si dhe një procedurë në kordat vokale.
Erina deklaroi se vetëm ndërhyrja gjenitale i ka kushtuar rreth 30 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale për procedurat që ka kryer i ka vlerësuar në rreth 100 mijë euro.
Në intervistë, ajo foli gjithashtu për vështirësitë e përjetuara gjatë viteve, marrëdhënien me familjen dhe procesin personal të pranimit të identitetit të saj.
Sot, Erina thotë se ndihet më në paqe me veten dhe e përshkruan rrugëtimin e saj si një proces të vështirë, por vendimtar në jetën e saj.