Kosova
81 vite burg për krerët e UÇK/ Von der Leyen: Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë ka përcjellë mesazhe mbështetjeje për vendin dhe perspektivën e tij evropiane, ndërsa është ndalur edhe te lufta e vitit 1999 dhe aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Von der Leyen tha se viti 1999 mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive të qytetarëve të Kosovës, duke përmendur represionin, krizën humanitare dhe vuajtjet e popullsisë gjatë luftës.
Sipas saj, Bashkimi Evropian ka qenë pranë Kosovës që prej asaj periudhe, duke mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe forcimin e institucioneve demokratike. Presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se perspektiva e Kosovës mbetet e lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së saj, Von der Leyen u ndal edhe te aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo pranoi se vendimi ka shkaktuar reagime dhe emocione të forta në Kosovë, ndërsa vlerësoi thirrjet për qetësi nga qytetarët dhe liderët politikë.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet respektuar. Në të njëjtën kohë, ajo nënvizoi të drejtën e të akuzuarve dhe mbrojtjes për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore, përfshirë të drejtën e apelit.
Von der Leyen bëri gjithashtu një dallim mes përgjegjësisë individuale të personave të gjykuar dhe historisë së luftës në Kosovë. Sipas saj, procesi gjyqësor lidhet me përgjegjësinë individuale të të pandehurve dhe nuk përbën një gjykim ndaj rezistencës së Kosovës.
Ajo bëri thirrje që kujtesa për viktimat e luftës të ruhet për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke e lidhur këtë me rëndësinë e pajtimit dhe të respektimit të proceseve institucionale.