✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Vajza e dëshmorit Lec Gradica: Babi im dha jetën për një Kosovë ku e vërteta të mos frikësohet

Lavdie Gradica, vajza e dëshmorit dhe mjekut të luftës, Dr. Lec Gradica, ishte e pranishme në protestën “Jo në emrin tim”, e zhvilluar sot në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë fjalës së saj para protestuesve, Gradica tha se pjesëmarrësit e respektojnë drejtësinë, por kërkojnë që ajo të jetë e drejtë dhe e barabartë. Ajo theksoi se qëndrimi i tyre nuk lidhet me kërkesën për hakmarrje, por me bindjen se proceset gjyqësore duhet të zhvillohen mbi bazën e drejtësisë dhe së vërtetës.

Në fjalën e saj, Lavdie Gradica solli në vëmendje edhe kontributin e babait të saj, Dr. Lec Gradica, dhe rolin e tij në shërbim të popullit të Kosovës gjatë luftës.

“Babai im ishte mjek në luftë. Ishte aty për t’i shpëtuar jetët e të plagosurve, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer popullit të tij… Babi mori përsipër dhe e themeloi Spitalin Ushtarak të Gradicës, spital në të cilin u shëruan shumë plagë lirie. Babai im nuk dha jetën që ne të heshtim. Ai dha jetën për një Kosovë ku e vërteta të mos frikësohet, ku drejtësia të mos ketë standarde të dyfishta dhe ku sakrifica e atyre që luftuan për lirinë të mos barazohet me krimin e gjenocidin. Ne e respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet të jetë e drejtë… Ne nuk kërkojmë privilegj. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi”, deklaroi ajo në fjalën e saj.

Advertisement