Aktualitet
Sulmi ukrainas me dron mbi anijen turke në Rusi, “zhduket” inxhinieri shqiptar (DETAJET)
Erkan Nika, shqiptari që shërbente si inxhinier i dytë në bordin e anijes “Aroyat”, rezulton i zhdukur pas incidentit të ndodhur pranë portit rus të Novorossiysk, në Detin e Zi. Sipas familjes së tij, Nika nuk ishte mes anëtarëve të ekuipazhit të shpëtuar pas dëmtimit të anijes dhe prej atëherë nuk ka pasur informacion për vendndodhjen apo gjendjen e tij.
Anija “Aroyat”, e regjistruar nën flamurin e Palau-s dhe e operuar nga kompani me bazë në Stamboll, kishte një ekuipazh prej 16 personash: 7 egjiptianë, 6 sirianë dhe 3 turq. Më 27 shtator, anija u dëmtua pranë Novorossiysk pasi u godit, sipas raportimeve, nga një mjet ajror pa pilot. Përplasja shkaktoi zjarr dhe dëme të konsiderueshme në pjesën e akomodimit dhe në pjesën e pasme të anijes.
Disa raportime ia atribuojnë sulmin forcave ukrainase, por kjo përgjegjësi nuk është konfirmuar zyrtarisht. Edhe burimet detare që kanë raportuar për ngjarjen theksojnë mungesën e një deklarate zyrtare mbi autorësinë e sulmit.
Familja e Erkan Nikës ka bërë thirrje për ndihmë për gjetjen e tij. Vëllai i tij, Erizon Nika, ka deklaruar se familja nuk ka informacion për vendndodhjen apo gjendjen shëndetësore të Erkanit dhe ka kërkuar ndihmën e autoriteteve portuale, shërbimeve të emergjencës, spitaleve dhe kujtdo që mund të ketë informacion për të.
Sipas familjes, anija po tërhiqet drejt Turqisë, ku pritet të kryhet një kontroll i plotë i saj. Kërkesa kryesore është që të kontrollohen me imtësi dhoma e motorëve, hapësirat e banimit dhe të gjitha pjesët e mbyllura të anijes, me shpresën për të gjetur ndonjë gjurmë të inxhinierit shqiptar.
Ndërkohë, raportimet për viktima në bord janë kontradiktore dhe nuk ka një listë zyrtare të publikuar që të konfirmojë numrin e viktimave. Fakti i raportuar nga familja dhe burimet detare është se Erkan Nika vazhdon të rezultojë i zhdukur.
“Aroyat” ka një histori të lidhur edhe me transportin tregtar në Detin e Zi. Në vitin 2023, ajo ishte ndër anijet e para të mëdha të mallrave që përdorën korridorin detar ukrainas për transportin e drithërave drejt tregjeve ndërkombëtare.
