✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

ZBULOHET DATA/ JA KUR MBYLLET KAPITULLI I 20

Shqipëria pritet të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Data 13 tetor po diskutohet në Bruksel për zhvillimin e mbledhjes së radhës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Burime diplomatike nga Komisioni Evropian, të cituara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, bëjnë me dije se në këtë takim Shqipëria pritet të mbyllë përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave.

Bëhet fjalë për Kapitullin 20, “Politika e ndërmarrjeve dhe industrisë”, që lidhet me zhvillimin e biznesit, konkurrueshmërinë dhe politikat industriale.

Sipas të njëjtave burime, nëse data konfirmohet, 13 tetori mund të shënojë një tjetër “super të martë” për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën ditë, Mali i Zi pritet të jetë përballë mbylljes së tre kapitujve.

Shqipëria ka mbyllur deri tani përkohësisht tre kapituj të negociatave. Më 14 korrik u mbyllën Kapitulli 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitulli 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitulli 30 për Marrëdhëniet me Jashtë.

Mbyllja e këtyre kapitujve u konsiderua një tjetër hap në procesin e integrimit evropian të vendit.

Nëse konfirmohet mbyllja e Kapitullit 20, Shqipëria do të ketë katër kapituj të mbyllur përkohësisht në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar si objektiv përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, me synimin që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Megjithatë, mbyllja e një kapitulli është e përkohshme dhe nuk nënkupton përfundimin e negociatave. Procesi vijon deri në përmbushjen e të gjitha kushteve dhe mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave.

Tashmë, vëmendja është te 13 tetori, kur pritet të mësohet nëse Shqipëria do të bëjë hapin e radhës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Advertisement