Kosova
Netanyahu priti 102 kosovarë dhe kërcënoi Millosheviçin/ Nazarko: Ai i dha njohjen Kosovës
Gazetari Mentor Nazarko ka rikthyer në vëmendje raportet historike mes Izraelit dhe Kosovës, duke kujtuar pritjen e 102 refugjatëve kosovarë në vitin 1999 dhe qëndrimin që, sipas tij, Benjamin Netanyahu mbajti ndaj ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Nazarko u shpreh se, pavarësisht debateve që lidhen me veprimet e Izraelit në Gaza, nuk duhet të anashkalohen episodet historike që, sipas tij, dëshmojnë mbështetjen ndaj popullit të Kosovës.
“Duhet të përmendim, për të gjithë ata që e shohin me dyshim, faktin se Netanyahu priti 102 refugjatë kosovarë në vitin 1999 dhe kërcënoi Millosheviçin më 23 dhjetor të po atij viti”, deklaroi Nazarko.
Ai iu referua gjithashtu një episodi që lidhet me një ftesë të Jaser Arafatit për Krishtlindje në Betlehem, duke cituar paralajmërimin që, sipas tij, Netanyahu i kishte drejtuar Millosheviçit: “Nëse vjen, do të të dorëzojmë në Gjykatën e Hagës”.
Nazarko argumentoi se mbështetja ndërkombëtare dhe ndikimi i lobit hebre kanë luajtur rol në rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Ai theksoi gjithashtu se Izraeli ishte ndër shtetet që e njohën Kosovën, në një kohë kur, sipas tij, disa vende arabe hezitonin ta bënin këtë.
Nazarko: Izraelin duhet ta kemi në krahun tonë
Gjatë diskutimit, gazetari nënvizoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Izraelin, duke e cilësuar atë një shtet me peshë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare.
“Ne po flasim për respektin ndaj një kombi që ka qenë pranë nesh. Nuk duhet t’ua lëmë grekëve dhe as armiqve tanë, serbëve. Duhet ta kemi në krahun tonë, sepse është një nga shtetet më të fuqishme dhe me ndikimin më të madh në botë”, u shpreh ai.
Nazarko argumentoi se marrëdhëniet me Izraelin duhen parë edhe në këndvështrimin e interesave strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke vënë theksin te ndikimi dhe kapacitetet e këtij shteti.
Pse u përzgjodh Vlora?
Duke komentuar zgjedhjen e Vlorës si simbol në këtë kontekst, Nazarko u shpreh se qyteti ka edhe një histori të lidhur me praninë dhe qytetërimin hebre gjatë Mesjetës.
Sipas tij, përzgjedhja e Vlorës është e natyrshme dhe nuk përbën ndonjë cenim të karakterit apo të historisë së vendit.
Gazetari kritikoi qëndrimet kundërshtuese ndaj kësaj zgjedhjeje, duke argumentuar se ato mund të burojnë nga bindje ideologjike, qëndrime sovraniste ose motive antisemite.
“Në gjykimin tim, nuk ka asnjë lloj sakrilegji”, përfundoi Nazarko, duke shtuar se, sipas vlerësimit të tij, kundërshtimet ndaj kësaj çështjeje nuk kanë marrë mbështetje të gjerë as në radhët e opozitës dhe as mes protestuesve.