Politike
Studentët i përzunë militantët e PD/ Berisha: Të bashkohemi pavarësisht dallimeve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen për bashkim të protestuesve me mbështetësit e opozitës, pavarësisht mosmarrëveshjeve mes tyre. Deklarata vjen pas refuzimit për të tretën herë radhazi të militantëve të PD-së nga një pjesë e protestuesve, ndërsa gjatë tubimit të sotëm u raportuan edhe përplasje fizike mes palëve.
Në një prononcim për mediat, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në mbështetje të studentëve, duke e cilësuar protestën si një betejë kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Të bashkohemi të mbështesim studentët, të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me studentët që po zhvillojnë një betejë epike kundër së keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së mbrojti veprimet e protestuesve, duke i cilësuar ato si akte guximi dhe trimërie. Ai akuzoi policinë për provokime dhe e cilësoi ndërhyrjen e saj si pjesë të një skenari kundër protestës studentore.
Berisha kritikoi gjithashtu masat e marra nga qeveria ndaj protestuesve, duke pretenduar se studentët i kanë kundërshtuar ato përmes vijimit të tubimit.
Një tjetër çështje ku u ndal kreu i opozitës ishte vendosja e gjobave ndaj pjesëmarrësve në protestë. Ai paralajmëroi se qytetarët e ndëshkuar do të dëmshpërblehen, ndërsa zyrtarët që firmosin gjobat, sipas tij, mund të përballen me përgjegjësi personale dhe penale.
“Garantoj çdo student dhe qytetar se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë, por edhe gjobëvënësi që vë firmën e tij do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos”, u shpreh Berisha.
Ai kërkoi gjithashtu lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar nga policia dhe rikonfirmoi angazhimin e PD-së për të mbështetur protestën.
Në përfundim, Berisha bëri thirrje për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke kërkuar krijimin e një qeverie që, sipas tij, do të përgatisë kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.