Aktualitet
Fëmijë dhe të rritur në spital për shkak të ujit të pijshëm? Reagon ISHP: Rezulton i pastër
Dyshimet për shkakun e helmimit të fëmijëve në Vlorë po orientohen drejt depozitave të ujit dhe sistemeve të furnizimit të brendshëm në pallate
Analizat paraprake të kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik kanë ngritur dyshime për ndotje të ujit të ruajtur në depozita, ndërsa mostrat e marra nga rrjeti i Ujësjellësit kanë rezultuar të pastra.
Në njoftimin e ISHP-së në Vlorë bëhet e ditur se uji që furnizon banesat përmes bolierëve apo depozitave të vendosura në tarracat e pallateve mund të jetë i ndotur.
“Dyshohet se uji që furnizon banesat përmes bolierëve apo depozitave të vendosura në tarracat e pallateve mund të jetë i ndotur. Ndërkohë, sipas rezultateve të analizave, uji që vjen nga rrjeti i Ujësjellësit rezulton i pastër dhe pa shenja ndotjeje”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, shkaku i situatës shëndetësore nuk është konfirmuar ende. Deri më tani, specialistët kanë analizuar vetëm një mostër uji, të marrë nga depozita e një pallati.
ISHP bën me dije se verifikimet dhe analizat do të vijojnë për të përcaktuar nëse ndotja e ujit në depozita ka lidhje me rastet e raportuara të helmimit të fëmijëve.
Njoftimi i ISHP Vlorë
Nga analizat e fundit të kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Vlorë, dyshohet se uji që furnizon banesat përmes bolierëve apo depozitave të vendosura në tarracat e pallateve mund të jetë i ndotur.
Ndërkohë, sipas rezultateve të analizave, uji që vjen nga rrjeti i Ujësjellësit rezulton i pastër dhe pa shenja ndotjeje.
Ky është konstatimi më i fundit i bërë nga specialistët e Shëndetit Publik, të cilët vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të situatës së krijuar dhe helmimit të fëmijëve.
Megjithatë, deri më tani, analiza është kryer vetëm në një prej pallateve, ku është marrë një mostër uji nga depozita. Për këtë arsye, ende nuk mund të thuhet se shkaku është konfirmuar përfundimisht, ndërsa priten verifikime dhe analiza të mëtejshme.