✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Trafiku në Tiranë “çmend” qytetarët, Demo kërkon masa urgjente shtesë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka kërkuar shtimin e masave dhe angazhimit të Policisë Rrugore për lehtësimin e trafikut në Tiranë. Kërkesa u bë gjatë një inspektimi në zonën e “21 Dhjetorit”, një prej nyjeve problematike të qarkullimit në kryeqytet.

Sipas ministrit, dëmtimi i infrastrukturës rrugore, sinjalistikës dhe semaforëve gjatë javëve të fundit ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe ka shtuar kohën që qytetarët kalojnë në trafik.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim. Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te “21-shi”, i cili është një nga nyjet më problematike që kemi. Masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh ministri Demo.

Ai bëri të ditur se në fund të kësaj jave do të vlerësohet zbatimi i masave të marra dhe ndikimi i tyre në përmirësimin e qarkullimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kohës që qytetarët humbasin në trafik dhe efektivitetit të ndërhyrjeve të Policisë Rrugore.

“Unë besoj që tashmë roli i Policisë Rrugore është akoma dhe më i rëndësishëm. Këto masa të shtuara janë të domosdoshme që të vazhdojnë. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, përsa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik. Por unë jam i bindur që Policia e Shtetit do të jetë akoma dhe më shumë e fokusuar për të garantuar jo vetëm sigurinë publike, por edhe cilësinë e jetesës në qytet. Policia Rrugore duhet të ketë patjetër një fokus të veçantë edhe për sa i përket bllokimit të qarkullimit për shkak të parkimeve dyshe dhe çdo veprim tjetër që bie në kundërshtim me Kodin Rrugor, për të garantuar që çdo qytetar të lëvizë i lirë dhe, aq më tepër, të lëvizë në kohë”, theksoi Demo.

Ministri kërkoi që Policia Rrugore të ndërhyjë veçanërisht ndaj parkimeve dyshe dhe shkeljeve të tjera të Kodit Rrugor që pengojnë qarkullimin. Rezultatet e masave të shtuara pritet të vlerësohen në fund të javës.

Advertisement