Sport
Alarm për Spanjën, Lamine Yamal jashtë grumbullimit
Lamine Yamal dhe Mikel Oyarzabal nuk do t’i bashkohen këtë të hënë grumbullimit të përfaqësueses së Spanjës dhe do të mungojnë në udhëtimin drejt Pragës për ndeshjen e së enjtes, më 12 nëntor, kundër Republikës Çeke, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, ka ndjerë shqetësime në gjurin e djathtë pas një goditjeje të marrë në përballjen e së dielës ndaj Atletico Madridit, ku katalanasit fituan me rezultatin 2-1. Pas ekzaminimeve mjekësore, është vendosur që futbollisti të qëndrojë në Barcelonë për të vijuar rikuperimin.
Yamal ishte i vetmi lojtar i Barcelonës i grumbulluar me kombëtaren spanjolle që u kthye në qytet pas ndeshjes me Atleticon, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve qëndruan në Madrid për t’iu bashkuar përfaqësueses.
Nga kampi i Barcelonës përcillet qetësi lidhur me gjendjen e tij. Vendimi për të mos u bashkuar menjëherë me kombëtaren është marrë në koordinim mes klubit dhe Federatës Spanjolle të Futbollit. Mjekët e të dyja palëve po ndjekin në vazhdimësi ecurinë e rikuperimit.
Edhe Mikel Oyarzabal do të mungojë në sfidën ndaj Republikës Çeke. Sulmuesi i Real Sociedadit po rikuperohet nga një gjendje gripale dhe do të qëndrojë në San Sebastian për të përfunduar procesin e rikuperimit. Në të njëjtën kohë, futbollisti është në prag të bëhet baba, çka e bën të pasigurt edhe pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e radhës kundër Anglisë.
Sa i përket Yamalit, plani i stafit të Spanjës është që ai t’i bashkohet grumbullimit në ditët në vijim, me synimin për të qenë i gatshëm për përballjen ndaj Anglisë, që do të luhet më 15 nëntor në stadiumin Metropolitano, në orën 20:45. Sulmuesi pritet të rikthehet në grumbullim të premten, por vendimi përfundimtar do të varet nga gjendja e gjurit dhe ecuria e rikuperimit.
Mungesa e Yamalit dhe Oyarzabalit ndaj Republikës Çeke është konfirmuar, ndërsa aktivizimi i sulmuesit të Barcelonës në ndeshjen me Anglinë mbetet në pikëpyetje.