Bota
Alarm pranë Shtëpisë së Bardhë / Makina përplaset me barrierat, dy të arrestuar
Një incident sigurie pranë Shtëpisë së Bardhë ka vënë në alarm autoritetet amerikane, pasi një automjet është përplasur me barrierat mbrojtëse të godinës në Uashington. Ngjarja ndodhi pak minuta para orës 16:00, me orën lokale në Shqipëri.
Sipas raportimeve, drejtuesi i automjetit, i cili dyshohej se ishte i armatosur, u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë. Pak më vonë, në lidhje me incidentin u arrestua edhe një person i dytë. Deri tani nuk janë bërë publike detaje mbi identitetin e tyre apo motivet e ngjarjes.
Pas marrjes së informacionit për dyshimet se personi mund të ishte i armatosur, autoritetet ndërhynë duke vendosur një kordon sigurie në zonën pranë kompleksit presidencial.
Si masë paraprake, Shtëpia e Bardhë u mbyll përkohësisht, ndërsa gazetarëve që ndodheshin jashtë godinës iu kërkua të futeshin brenda. Forcat e sigurisë vijuan kontrollet dhe mobilizimin në zonë.
Alarmi u shtua edhe për shkak të pranisë së zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, i cili në atë moment po mbante një fjalim në ndërtesën e JPMorgan, në një distancë të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë informacion të plotë mbi rrethanat e incidentit, motivet e mundshme apo nëse ka persona të lënduar. Hetimet pritet të sqarojnë nëse përplasja e automjetit me barrierat ishte një veprim i qëllimshëm dhe çfarë roli kishte personi i dytë i arrestuar.