✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Një “mini-hënë” po rrotullohet rreth Tokës, ja çfarë do të ndodhë në dhjetor

Toka ka përkohësisht një shoqërues të ri në hapësirë. Një asteroid i vogël, me diametër rreth dy metra, është kapur nga graviteti i planetit tonë dhe po lëviz në orbitën e tij, duke u cilësuar si një “mini-hënë”. Objekti, i identifikuar me emrin 2026 QQ8, pritet të qëndrojë pranë Tokës deri në fillim të dhjetorit, përpara se të largohet dhe të vazhdojë udhëtimin rreth Diellit.

Sipas CNN, zbulimi i asteroidit ishte një proces i vështirë për shkak të përmasave të vogla dhe ndriçimit të dobët. Astronomëve iu deshën disa javë për të përcaktuar nëse kishin zbuluar një trup natyror qiellor apo një satelit artificial jashtë funksionit.

Objekti u dallua fillimisht në muajin gusht nga astronomi hungarez Krisztián Sárneczky, i cili e regjistroi përkohësisht me emrin Sar2901. Pas analizave të hollësishme të orbitës, natyra e tij u konfirmua dhe në fund të tetorit u regjistrua zyrtarisht nga Qendra e Planetëve të Vogël e Unionit Ndërkombëtar Astronomik si 2026 QQ8.

Astronomët shpjegojnë se prania e trupave të tillë pranë Tokës nuk është një fenomen i pazakontë. Graviteti i planetit tonë mund të kapë përkohësisht asteroidë të vegjël, të cilët qëndrojnë në orbitë për disa javë ose muaj, përpara se të largohen sërish.

Matthew Payne, drejtor i Qendrës së Planetëve të Vogël, shpjegon se mesatarisht mund të ketë një objekt të tillë pranë Tokës në çdo moment. Megjithatë, për shkak të madhësisë së tyre të vogël, shpejtësisë dhe distancës, zbulimi i këtyre trupave mbetet i vështirë edhe me teknologjinë aktuale.

Ekspertët theksojnë se asteroidi 2026 QQ8 nuk përbën asnjë rrezik për planetin tonë. Përmasat e tij janë aq të vogla sa, në rast se do të hynte në atmosferën e Tokës, do të shpërbëhej përpara se të shkaktonte dëme.

Deri më tani, astronomët kanë identifikuar rreth 40 mijë objekte pranë Tokës dhe afërsisht 1.5 milionë trupa qiellorë në të gjithë sistemin diellor. Por ky numër pritet të rritet ndjeshëm falë teknologjive të reja të vëzhgimit.

Një teleskop i pajisur me kamerën dixhitale më të madhe në botë pritet t’u japë shkencëtarëve mundësinë të zbulojnë dhe katalogojnë asteroidë, kometa dhe trupa të tjerë me një ritëm shumë më të shpejtë. Sipas parashikimit të Payne, numri i objekteve të njohura në sistemin diellor mund të rritet nga 1.5 milionë në rreth 5 milionë.

Advertisement