Aktualitet
‘Pa atdhe nuk ka fe’, Baba Mondi uron shqiptarët për 28 Nëntorin
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, ka përcjellë një mesazh urimi dhe bekimi për shqiptarët kudo që jetojnë, me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit.
Në mesazhin e tij, ai u ndal te deviza e njohur “Pa atdhe nuk ka fe”, duke bërë thirrje për më shumë dashuri vëllazërore, paqe, mirëkuptim dhe unitet mes shqiptarëve. Brahimaj theksoi rëndësinë e solidaritetit njerëzor dhe të ndihmës ndaj personave në nevojë, veçanërisht në një kohë kur, sipas tij, njerëzimi po përballet me sfida të shumta.
Ai rikujtoi gjithashtu rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë dhe sakrificat e bëra për lirinë e vendit, duke u bërë thirrje shqiptarëve të shmangin ndasitë, konfliktet dhe mëritë, si dhe të forcojnë bashkëjetesën dhe dashurinë për kombin.
” Me rastin e këtyre ditëve të shënuara, 28 dhe 29 nëntor 2026, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë, që të kenë më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Madh, për një jetë më të mirë e më të begatë, në mënyrë që të përballohen me efektivitet situatat e vështira që po kalon sot njerëzimi, me synim të një jete më të mirë dhe të begatë për të gjithë. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë problemet dhe të afrohemi gjithmonë drejt të mirës. Përkujtimi i këtyre dy ngjarjeve të shënuara, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot. Është e domosdoshme, që veçanërisht në këto dit, të ndërgjegjësojmë veten e të bëjmë apel për të gjithë, që secili, të angazhohet për rritjen e klimës së mirëbesimit e dashurisë së ndërsjelltë njerëzore, forcimin e unitetit, për bamirësi e ndihmë për ata që kanë nevojë, të pastrojmë shpirtrat tanë e familjarëve, të ndalojmë ndasitë, sherret e mëritë, luftërat, të lutemi tek i Madhi Zot që të na ndihmoj në këtë mision të përbashkët…Zoti i Madhërueshëm u bekoftë ju e familjet tuaja! Amin!”– thuhet në mesazhin e Dede Edmond Brahimajt.