✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Zylfie Haklaj apel protestuesve pas thirrjeve të Berishës: Mos u bëni mish për top të askujt

Zylfie Haklaj ka reaguar përmes një apeli drejtuar qytetarëve, duke paralajmëruar për rrezikun e përsëritjes së ngjarjeve të dhunshme të së kaluarës. Reagimi i saj vjen në ditën kur protesta e 28 Nëntorit në Tiranë u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, sulme ndaj institucioneve dhe persona të lënduar.

Haklaj e lidh këtë datë me ngjarjet e 28 nëntorit 2000 në Tropojë, kur një protestë e Partisë Demokratike kundër rezultatit të zgjedhjeve vendore përfundoi në përplasje të armatosura me policinë dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore. Ajo kujton gjithashtu vrasjen e vëllait të saj, Ylli Haklaj, më 3 dhjetor të po atij viti, vetëm pesë ditë pas trazirave në Bajram Curri.

“Drejtësi e vonuar nuk duhet të bëhet kurrë drejtësi e harruar. 28 nëntori 2000 mbetet një plagë e rëndë për Tropojën. Ngjarjet e dhunshme të asaj dite dhe vrasja e Ylli Haklajt më 3 dhjetor 2000 janë pjesë e një historie që ende kërkon drejtësi. Sot, përballë retorikës së ashpër politike, lind frika se Shqipëria mund të përjetojë një tjetër nëntor të zi”, shprehet ajo.

Haklaj i është referuar edhe thirrjeve të Sali Berishës për mobilizim në protestën kombëtare të 28 Nëntorit. Kreu i Partisë Demokratike kishte ftuar qytetarët të mblidheshin në Tiranë, duke e cilësuar këtë datë si ditë feste, por edhe si “ditë kushtrimi”. Ndërkohë, prej javësh ai ka kërkuar mbështetjen e strukturave të PD-së për protestat, në një kohë kur një pjesë e protestuesve studentorë kanë kundërshtuar përfshirjen e partive politike në tubimet e tyre.

Në mesazhin e saj, Zylfie Haklaj u kërkon qytetarëve të mos bëhen pjesë e përplasjeve politike dhe të mos lejojnë që interesat e pushtetit të prodhojnë viktima të reja.

“Mos u bëni mish për top të askujt. Mos lejoni që politika t’ju përçajë, t’ju vërë kundër njëri-tjetrit dhe t’ju marrë jetën për interesa pushteti. Flamuri ynë nuk është simbol i gjakut, por i lirisë dhe bashkimit. Historia përsëritet kur tragjeditë harrohen dhe drejtësia vonon. Tropoja nuk harron, Shqipëria nuk duhet të harrojë. 28 nëntori është ditë e flamurit, jo ditë e gjakut”, deklaron ajo.

Ngjarjet e vitit 2000 në Tropojë u shoqëruan me reagime edhe nga organizata ndërkombëtare. Sipas raportit të UNHCR-së të vitit 2002, protesta në Bajram Curri degjeneroi në përplasje të armatosura, ku një person humbi jetën. OSBE-ja dhe Bashkimi Europian dënuan dhunën dhe kërkuan që kundërshtimet politike të shpreheshin përmes mjeteve demokratike.

Zylfie Haklaj ka deklaruar ndër vite se vëllezërit e saj, Ylli dhe Hamdi Haklaj, kishin marrë pjesë në mbrojtjen e komisariatit të Tropojës gjatë trazirave. Familja e saj akuzon Sali Berishën si organizator dhe urdhërues të vrasjeve të katër vëllezërve, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Berisha i ka mohuar këto akuza.

Për këtë çështje, familja ka depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj Berishës dhe 15 personave të tjerë. Zylfie Haklaj është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme në prill të vitit 2023. Sipas raportimeve, hetimet për dosjen e Tropojës janë pezulluar, vendim që familja e ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme.

Ndërkohë, protesta e 28 Nëntorit në Tiranë është shoqëruar me 19 të lënduar, sipas bilancit të raportuar: gjashtë efektivë policie, katër përfaqësues të medias dhe nëntë protestues.

Advertisement