✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Kur mjekësia takon humanizmin/ Mjekët nxjerrin pacientët në gjendje kritike për shëtitje buzë detit

Një nismë e veçantë në një spital të Barcelonës po u rikthen shpresën pacientëve që ndodhen në gjendje kritike. Mjekët dhe infermierët e Spitalit Del Mar i nxjerrin pacientët e kujdesit intensiv për shëtitje buzë detit, duke u dhënë mundësinë të largohen për pak kohë nga ambienti spitalor dhe të përjetojnë sërish kontaktin me jetën jashtë tij.

Praktika nisi gjatë pandemisë së COVID-19 dhe, sipas stafit mjekësor, ka sjellë ndryshime pozitive në gjendjen emocionale dhe fizike të pacientëve.

Drejtoresha e Njësisë së Kujdesit Intensiv, Dr. Purificación Pérez-Terán, tha për The Washington Post se kjo është një prej mënyrave për ta bërë më njerëzor trajtimin në reanimacion dhe për të ulur stresin post-traumatik që mund të shkaktohet nga qëndrimi në këtë repart.

Sipas saj, reagimi i pacientëve është mbresëlënës. Disa prej tyre, që më parë shfaqnin shenja depresioni dhe mungesë bashkëpunimi me stafin, pas një shëtitjeje buzë detit rikthehen më të qetë, më të motivuar dhe më bashkëpunues.

Për pacientët që nuk kanë mundësi të dalin fizikisht nga spitali, është krijuar edhe një alternativë përmes pajisjeve të realitetit virtual. Këto pajisje u mundësojnë atyre të përjetojnë një eksperiencë të ngjashme me një vizitë në plazh.

Mjekët thonë se si shëtitjet buzë detit, ashtu edhe realiteti virtual, mund të ndihmojnë në uljen e ankthit dhe përmirësimin e mirëqenies së pacientëve.

Nisma e Spitalit Del Mar synon të ndryshojë mënyrën se si përjetohet qëndrimi në kujdes intensiv, duke u kujtuar pacientëve se përtej mureve të spitalit vazhdon jeta dhe i pret sërish bota jashtë.

 

Advertisement