Kronike
“Kam rënë, jam i lagur”/ Mesazhi i fundit i 75-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë në kanal
Një 75-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Eqerem Ahmetaj, është gjetur i pajetë në një kanal në zonën rurale të San Zenos, pranë Breshias në Itali. I moshuari rezultonte i zhdukur prej një jave, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij përfunduan tragjikisht mesditën e së shtunës, më 28 nëntor.
Sipas mediave italiane, Ahmetaj jetonte prej rreth 20 vitesh në Itali dhe banonte i vetëm. Ish-bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij kujdeseshin për të dhe mbanin kontakte të vazhdueshme.
75-vjeçari ishte larguar nga banesa më 21 nëntor dhe nuk ishte kthyer më. Kontakti i fundit me familjarët ishte regjistruar po atë ditë, në orën 19:21, kur ai kishte dërguar një mesazh shqetësues: “Kam rënë, jam i lagur”.
Pas këtij mesazhi, familjarët nuk arritën të komunikonin më me të. Kërkimet u përqendruan në zonat ku ishte lokalizuar sinjali GPS i telefonit të tij, fillimisht pranë varrezave të Folzanos dhe më pas në zonën rurale të San Zenos.
Trupi i shqiptarit u zbulua nga helikopteri Drago i zjarrfikësve italianë, të cilët ishin angazhuar në operacionin e kërkimit që prej së premtes. Ai u gjet në një kanal, pas disa ndërtesave bujqësore, në një zonë që ishte kontrolluar edhe më parë.
Lajmi për gjetjen e trupit bëri që familjarët të niseshin menjëherë drejt vendit të ngjarjes, ndonëse identiteti i viktimës ende nuk ishte konfirmuar.
Trupi u transportua në spitalin Civile, ku autoritetet gjyqësore kryen procedurat e identifikimit. Konfirmimi se viktima ishte Eqerem Ahmetaj i dha fund pritjes dhe ankthit njëjavor të familjes, e cila shpresonte ta gjente të gjallë.
Rrethanat e sakta të vdekjes nuk janë bërë ende të ditura.
