Aktualitet
Alket Rizai u zhduk pas përplasjes me armë, policia greke heton arratisjen drejt Shqipërisë ose Kosovës
Policia greke po heton disa pista për vendndodhjen e Alket Rizait, i dënuari shqiptar që nuk u rikthye në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes më 14 shtator.
Një prej pistave kryesore të hetimit është mundësia që Rizai të ketë kaluar kufirin dhe të jetë larguar në drejtim të Shqipërisë ose Kosovës.
Hetuesit po shqyrtojnë në detaje edhe një incident të ndodhur një ditë para zhdukjes së tij, jashtë një bari plazhi, ku Rizai dyshohet se është përfshirë në një përplasje me armë.
Në lidhje me incidentin është arrestuar një 27-vjeçar nga Afganistani, i cili punonte si roje sigurie në barin e plazhit. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje me armë zjarri. Nga të shtënat, dy kalimtarë kanë mbetur të plagosur lehtë.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit grekë lidhet me një automjet të dyshimtë të parë në zonë pas incidentit.
Sipas dëshmisë së një drejtuesi automjeti, pas përplasjes, në rrugë është parë një makinë që kishte aktivizuar një sinjalizues të ngjashëm me pajisjet që përdoren nga automjetet e Policisë Greke pa shenja dalluese.
Për momentin, vendndodhja e Alket Rizait mbetet e paqartë. Autoritetet greke po shqyrtojnë disa skenarë, ndërsa ndër pistat kryesore mbetet edhe mundësia që ai të ketë kaluar kufirin dhe të jetë larguar drejt Shqipërisë ose Kosovës.