Pinknews
Kriza e hiteve/ Sinan Hoxha: Njerëzit s’kanë bukë të hanë, dëgjojnë vetëm 15 sekonda
Këngëtari Sinan Hoxha ka folur për vështirësinë në krijimin e hiteve që i rezistojnë kohës, duke e lidhur këtë fenomen me ndryshimin e mënyrës se si publiku konsumon muzikën. Sipas tij, kjo nuk është një problem që prek vetëm artistët shqiptarë, por edhe industrinë muzikore ndërkombëtare.
Gjatë një interviste televizive, Hoxha u shpreh se edhe emra të njohur të muzikës botërore vazhdojnë të mbështeten te sukseset e tyre të mëparshme, ndërsa krijimi i hiteve të reja është bërë gjithnjë e më i vështirë.
Ai ia atribuon këtë ndryshim ritmit të përshpejtuar të jetës, krizave ekonomike, luftërave dhe zhvillimit të rrjeteve sociale e teknologjisë. Sipas këngëtarit, publiku sot shpesh mjaftohet me disa sekonda të një kënge, veçanërisht me pjesën e refrenit, pa e dëgjuar atë të plotë.
“Njerëzit mjaftohen me 15 sekonda të refrenit. Kanë halle të tjera, nuk kanë bukë për të ngrënë e s’kanë raki me pi. Nuk e kanë mendjen shumë tek këngët e këngëtarëve”, deklaroi Hoxha.
Pavarësisht ndryshimeve në mënyrën e konsumimit të muzikës, Sinan Hoxha mbetet një nga këngëtarët shqiptarë me një repertor të pasur këngësh që kanë shënuar sukses ndër vite.