Kronike
Babai i verbër, nëna e sëmurë/ Mori pjesë në protestë, 15-vjeçari gjobitet me 5 milionë lekë
Gjykata e Tiranës ka shpallur të paligjshëm arrestimin e një 15-vjeçari, Jongert L., i cili ishte ndaluar nga policia gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet. Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të miturit, pas rrëzimit të kërkesës së prokurorisë.
Adoleshenti qëndroi që prej së shtunës në ambientet e Bllokut të Sigurisë “Mine Peza” dhe këtë të mërkurë u paraqit para gjykatës. Prokuroria kërkoi vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, por gjyqtarja Yrfet Shkreli nuk i pranoi këto kërkesa.
Por për 15-vjeçarin, çështja nuk përfundon me lirimin nga paraburgimi. Ai është ndëshkuar gjithashtu me një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra, në bazë të aktit normativ kundër bllokimit të rrugëve.
Në dokumentin e gjobës, i mituri ka shënuar edhe rrethanat e vështira familjare, duke deklaruar se të dy prindërit janë persona me aftësi të kufizuara. Babai është i verbër, ndërsa nëna vuan nga probleme të rënda shëndetësore.
Më herët, babai i adoleshentit kishte treguar se i biri ka nevojë për mësues ndihmës dhe nuk arrin të kuptojë plotësisht gjobat që i vendosen. Sipas tij, familja jeton me rreth 140 mijë lekë në muaj, të ardhura që nuk mjaftojnë as për të përballuar qiranë e banesës.
Kështu, ndërsa gjykata ka urdhëruar lirimin e 15-vjeçarit duke e konsideruar arrestimin të paligjshëm, mbetet për t’u sqaruar fati i gjobës së rëndë të vendosur ndaj tij.