Politike
Depozitoj në PD kërkesën për informacion se si u përjashtova! Berishën nuk e do 80% e partisë
Ndër 5 demokratët dhe më kryesori, që synoi të marrë pjesë në garën për kreun e Partisë Demokratike, dhe nuk u lejua nga Sali Berisha, është Ervin Salianji.
Më herët, kryedemokrati ka deklaruar shpesh se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD, pasi ka shkelur vijën e kuqe. Të paktën kështu e shprehu Berisha pakënaqësinë e tij për takimet e Salianjit me demokratët e bazës së partisë.
Salianji tha se sot do t’i drejtohet selisë blu me një kërkesë për informacion mbi shkaqet dhe procedurat e ndërmarra për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.
Ish-deputeti pranoi hapur se aksioni i tij politik është një qartësisht një lëvizje brenda Partisë Demokratike.
“Takimi me njerëz është një prej formave të rëndësishme për të zhvilluar politikë, proces debatit publik dhe paraqitjes së alternativave. Edhe ngritja e zërit për një demokraci të brendshme, shkelja e rregullave statutore dhe mosmbajtje premtimesh të Sali Berishës gjatë mandatit 4-vjeçar në krye të PD”,- tha Salianji.
Ai thekson se është e turpshme për Partinë Demokratike që kryetari i saj nuk është i aftë të mbushë sallat e takimeve më shumë se një ish-deputet i saj. Sipas Salianjit, Berisha është i padëshirueshëm për 80% të partisë.
“A keni parë garë që një kandidati përjashton kandidatët e tjerë, më përjashton mua, cakton komisionin vetë, cakton listat vetë, del te selia vetë, i përdor burimet financiare vetë”,- tha Salianji.
Fajtor për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 quan vetëm Sali Berishën.
“Kush i bëri listat, kush e bëri programin”,- bën pyetjen retorike ish-deputeti.
Nuk do të votojnë më shumë se 10 mijë anëtarë. Në deklaratën e Sali Berishës, nëse herën e kaluar kanë qenë 44 mijë anëtarë, do të jenë 54 mijë. Në realitet nuk ka për të kaluar më shumë se 10 mijë anëtarë. Po e vë bast me ju. Po qe se nuk e kanë rritur në letra me 300% numrin real, kemi një test tjetër. Kur u bë gara me 1 kandidat në 2019, doli para dhe tha që ‘kushdo që thotë që gara me 1 kandidat është e ndershme, e mbuloftë turpi i historisë!’ Tani thotë ‘gara me 1 kandidat është demokratike!’”, tha Salianji.