Aktualitet
Gjyqtarët dhe Prokurorët kundër ligjit të pagave, vendos Kushtetuesja
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në seancë kërkesën e magjistratëve kundër ndryshimeve ligjore për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimeve në ligjin për statusin e magjistratëve, në seancën parlamentare të zhvilluar në orët pas mesnatës së 18 shtatorit.
Në një deklaratë të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kërkuan pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Shoqatat pretendojnë se gjatë procedurës parlamentare janë cenuar kërkesat kushtetuese, duke përmendur miratimin e projektligjit përtej afatit që, sipas tyre, parashikohet nga Kushtetuta, mungesën e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave dhe konsultimin joefektiv me grupet e interesit.
Në deklaratë, përfaqësuesit e magjistratëve argumentojnë se çështja nuk lidhet vetëm me nivelin e pagave, por edhe me pavarësinë e gjyqësorit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve”, thuhet në deklaratë, ku theksohet gjithashtu se do të përdoren të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.
Kalimi i kërkesës në seancë shënon vijimin e shqyrtimit kushtetues të kundërshtimeve të ngritura nga shoqatat. Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të vlerësojë pretendimet e paraqitura në kërkesë./TCH