Aktualitet
Biznesi i vogël në krah të studentëve, thirrje sipërmarrësve: Ulni qepenat, bashkohuni me studentët
Biznesi i vogël dhe i mesëm u bën thirrje sipërmarrësve të mbyllin përkohësisht aktivitetet dhe t’i bashkohen protestës kombëtare të studentëve, e planifikuar për ditën e shtunë.
Shoqata u kërkon bizneseve të ulin qepenat gjatë orarit të tubimit, në shenjë solidariteti me studentët dhe qytetarët që po protestojnë kundër qeverisë.
Në deklaratën e saj, shoqata thekson se situata aktuale nuk është vetëm çështje e studentëve, por lidhet edhe me të ardhmen e sipërmarrjeve, familjeve dhe brezit të ri. Sipas përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm, zhvillimet e fundit kërkojnë reagim qytetar, solidaritet dhe angazhim më të madh nga sipërmarrësit.
Krahas thirrjes për pjesëmarrje dhe uljen e qepenave, shoqata u kërkon bizneseve që kanë mundësi të ofrojnë produkte dhe shërbime të nevojshme për protestuesit gjatë zhvillimit të tubimit.
“U bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, me shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta. Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biznesit tonë, me familjet tona dhe me fëmijët tanë”, thuhet në deklaratën e kreut të shoqatës.
Thirrja vjen në një kohë kur protestat studentore vijojnë prej ditësh, ndërsa një nga kërkesat kryesore të protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Mbetet për t’u parë se sa biznese do t’i përgjigjen thirrjes për të ndërprerë përkohësisht aktivitetin dhe për të mbështetur protestën.