Aktualitet
“Lironi menjëherë rrugën!”/ Policia përballë protestuesve në Bulevard
Momente tensioni janë regjistruar gjatë protestës para Kryeministrisë, ku policia ka ndërhyrë pasi protestuesit kanë hequr disa vazo dekorative dhe stola prej betoni. Efektivët u kanë kërkuar pjesëmarrësve të lirojnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar vijimin e tubimit në këtë hapësirë.
Protestuesit nuk kanë pranuar të largohen dhe kanë këmbëngulur të qëndrojnë përballë godinës së Kryeministrisë. Ndërhyrja e policisë ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe pjesëmarrësve, ndërsa situata është shoqëruar me thirrjet për lirimin e rrugës.
Deri në momentet e raportimit, nuk ka njoftime për persona të shoqëruar nga policia.
Protesta vijon në ditën e saj të 11-të, ndërsa studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.