Politike
Kthupi: Opozita e ka harruar veten në një vagonë që është shkëputur nga treni
Avokati Rezart Kthupi tha se asnjë mazhorancë nuk jep dorëheqjen nga protestat e organizuara nga opozita, duke theksuar se përballja reale e partive politike zhvillohet në zgjedhje.
Sipas tij, një qeveri vihet në trysni vetëm kur në shesh dalin vet qytetarët dhe jo të drejtuar nga partitë politike. Ai tha se protesta e Partisë Demokratike nuk ishte protestë qytetare, por thjesht një manifestim politik.
‘Në konceptin politikë asnjë mazhorancë nuk jep dorëheqjen nga manifestimi i opozitës. Partitë politike e kanë fushëbetejën në zgjedhje. Çdo mazhorancë vihet në trysni nëse në shesh dalin qytetarët vet, jo të drejtuar nga partitë politike. Në Shqipëri kjo nuk ndodh sepse nëse do të dalësh të protestosh nuk protestosh dot sepse ta kanë zënë partitë orarin për të bërë protestë. Qeveria vihet nën trysni nëse protesta është e qytetarëve. Një mazhorancë i thotë opozitës, pse duhet që të largohem unë kur sapo dolëm nga zgjedhjet dhe të munda. Po ajo e PD nuk ishte protestë, por manifestim politik’, tha ai.
Eksperti i Sigurisë Faik Basha, tha se një protestë ka nevojë për organizatorë dhe drejtues politikë që i motivojnë qytetarët të dalin në protestë.
‘Nuk ka lidhje masiviteti i një proteste me nervin e qytetarëve, por duhet që të kenë moral ata që e thërrasin dhe të jenë njerëz që motivojnë. Aty nuk flasim as për masivitet, as për moral. Opozita e ka harruar veten në një vagonë që është shkëputur nga treni’, tha ai.