Politike
NE PS KA THIKA PAS SHPINE/ VELIAJ: PO LUHET ME INTRIGA, THASHETHEME DHE FLETERRUFE
Quo Vadis, PS?
Pjese nga fjalimi qe do mbante Erion Veliaj ne Asamblene e PS
Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine. Investonim te faktet dhe e vërteta. Sot te thashethemet dhe intrigat. Harxhonim energji për të gjetur miq. Sot harxhojmë energji për të zbuluar armiq. Bënim garë kush hapte më shumë shkolla, jo kush hapte më shumë biruca. Ishim një skuadër. Sot vendosin një apo dy individë. Ishim të gjithë të Partisë Socialiste. Sot jemi ndarë në njerëz të atij apo të asaj. Rrinim mes njerëzve, në rrugë, kafene dhe markata. Sot i shmangim, sepse nuk përballemi dot me pakënaqësinë e tyre. Kishim Kryeqytetin Evropian të Rinisë, Sportit dhe Kulturës. Sot përballemi me pamjet e dhunës, gazit dhe zjarrit. Indinjoheshim nga padrejtësia. Sot mjaftohemi që padrejtësia të mos na bjerë neve. Dikur kishim më pak mandate, por mbështetje të madhe. Sot kemi më shumë mandate, por mbështetje më të vogël. Mbillnim pemë dhe ndërtonim së bashku. Sot presim degët e njëri-tjetrit dhe mbjellim ndasi. Thërrisnim për bashkim. Sot kërkojmë armiq të brendshëm. Kishim moton “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Sot “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.
Ku po shkojmë? Ishim reformatorë të së majtës, të vendosur të largoheshim nga Partia e Punës. Sot rikthejmë kallëzimet anonime dhe fletërrufetë. Ishim gjuetarë të ideve, jo të njëri-tjetrit. Dikur mezi prisnim debatet televizive për të mbrojtur idetë tona. Sot shmangim përballjet për të mos u përgjigjur për vendimet tona. Dikur zgjonim imagjinatën. Sot e trembim atë. E shihnim brezin Z si të ardhmen e shtetit, jo si armikun e pushtetit. Ishim tolerantë dhe bashkëpunues. Sot dyshues dhe hakmarrës. Talleshim me teoritë e konspiracionit. Sot i prodhojmë dhe u besojmë vetë. Dikur ndiznim ëndrra. Sot prodhojmë makthe. Ishim partia e Dritëroit. Sot e “Nesti Angonit”. Na iku i madhi Gramoz, na erdhi Dashi i vogël i Saliut.
Quo Vadis, Partia Socialiste?
A do të vazhdojmë të ndërrojmë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të gjejmë guximin të ndryshojmë drejtimin për ta shmangur atë? Të dashura shoqe dhe shokë, Këto nuk janë thjesht kujtime të një kohe tjetër, as nostalgji për Partinë Socialiste që ka qenë. Janë ato që kemi humbur gjatë ushtrimit të pushtetit dhe për mënyrën se si funksionon sot organizata jonë politike. Ndryshimi më shqetësues nuk është vetëm te njerëzit që janë larguar apo te debatet që nuk zhvillohen më. Është te mënyra se si merren vendimet dhe te roli që u ka mbetur institucioneve të partisë. A janë organizatat tona socialiste ende vende ku diskutohet dhe vendoset, apo janë kthyer kryesisht në struktura që aktivizohen gjatë fushatave? A dëgjohen socialistët që mendojnë ndryshe? A promovohen njerëzit me integritet dhe autoritet në komunitetet e tyre, apo mjafton lidhja me drejtuesin? Këto çështje na përfshijnë të gjithëve. Edhe mua. Unë nuk dua të flas nga pozita e njeriut që ka bërë gjithçka drejt. Kam drejtuar për vite një administratë të madhe, kam marrë mijëra vendime dhe kam mbajtur përgjegjësi që kanë ndikuar në jetën e qindra mijëra qytetarëve. Në këtë rrugëtim kam bërë gabime. Ka vendime që sot do t’i shqyrtoja ndryshe, njerëz që mund të mos i kem dëgjuar sa duhet dhe situata ku mund të kisha treguar më shumë kujdes e ndjeshmëri. Për përgjegjësitë e mia politike dhe njerëzore jam i gatshëm të jap llogari. Por përgjegjësia individuale e secilit prej nesh nuk mund të përdoret për të shmangur shqyrtimin e përgjegjësisë së Edi Ramës për drejtimin politik të Partisë Socialiste. Pushteti i gjatë krijon një rrezik të njohur për çdo organizatë politike. Në fillim, njerëzit të afrohen sepse besojnë te idetë e tua. Më pas, kur fiton pushtetin, të afrohen edhe njerëz që kërkojnë mundësi, favore, ndikim dhe përfitime, e lloj-lloj “të fortësh”, të cilët janë më të gatshëm të të shërbejnë. Nëse organizata nuk ruan mekanizmat e kontrollit, një ditë mund të zbulosh se njerëzit që të thonë gjithmonë “po” janë bërë më të shumtë se ata që kanë guximin të të thonë të vërtetën. Kjo nuk mbetet vetëm çështje e marrëdhënieve mes njerëzve. Ajo përcakton mënyrën se si formohet qeveria, si përzgjidhen përfaqësuesit dhe si funksionojnë institucionet.