Aktualitet
Paketa e zgjerimit 2020 ,Komisioni Evropian
Duke prezantuar Paketën vjetore të Zgjerimit, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, komentoi: “Komisioni e ka përforcuar politikën e zgjerimit të BE-së, me punën në vazhdim në tri pista. Ne kemi forcuar metodologjinë, e cila tani është vënë në veprim, me fokus te bazat. Duke u mbështetur në të, Shtetet Anëtare vendosën në mars të hapnin negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo tregon që Bashkimi Evropian i përmbush premtimet e tij. Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në maj, partnerët e Ballkanit Perëndimor ripohuan angazhimin e tyre për reforma të mëtejshme. Në paketën tonë ne i shohim me detaje këto përpjekje të vazhdueshme, veçanërisht në shtetin ligjor, dhe rekomandojmë rrugën e ardhshme për një zbatim dinamik dhe rezultate afatgjata”.
Progresi i besueshëm në fushën e shtetit ligjor mbetet një sfidë e rëndësishme, e cila shpesh ndërlidhet me mungesën e vullnetit politik. Një ritëm i ngadaltë në kulturën gjyqësore vazhdon në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor pa angazhim të mjaftueshëm ndaj parimit të pavarësisë gjyqësore. Ritmi i përgjithshëm në luftën kundër korrupsionit është ngadalësuar dhe historiku në shumicën e vendeve është larg përmbushjes së kërkesave për anëtarësim, ndërsa fusha e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias ka pasur më pak përparim vitin e kaluar.
Në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Komisioni pret që konferencat e para ndërqeveritare të mblidhen sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizave negociuese nga Këshilli. Komisioni konfirmoi përparimin e mëtejshëm në zbatimin e reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka bërë tashmë një përparim vendimtar dhe është pranë përmbushjes së kushteve të vendosura nga Këshilli në lidhje me konferencën e parë ndërqeveritare.